Alaxhani, kali i Ballës, i largohet sërish nga duart Osmanit dhe për të mos e humbur për shumë gjatë, ai niset në çast e i shkon nga pas. Vendi ku do e çojë Alaxhani, do i japë Osmanit një tronditje dhe shpresë të madhe njëherazi. Ai gjen shallin personal të Ballës, të lidhur në një pemë, gjë që e bën të mendojë e shpresojë se ajo mund të jetë gjallë diku dhe e gjithë historia e vdekjes së saj mund të jetë një rreng.

Por, edhe pse ai shall ia ndez shpresat dhe e bën të fluturojë nga gëzimi, Osmani sërish nuk e ndan me fëmijët e tij. Ai shkon pranë tyre, i dëgjon teksa bëjnë plane që së paku nënën t’a kenë të varrosur pranë motrës dhe nuk u thotë asgjë. Asnjëri në atë mes nuk e di se edhe nëna edhe motra që mendojnë prej vitesh se është e vdekur, në fakt jetojnë por nën kontrollin e Sofias.

Sofia ndërkohë, shkon të ngacmojë sërish Ballën, për t’a prekur atë në plagën më të thellë, atë të humbjes së fëmijës. Teksa i thotë se nuk ka vdekur por e ka mbajtur pranë vetes, se ka bërë të mundur që ajo të mos kujtojë asgjë e shumë detaje të tjera, Sofia tregohet e shkujdesur dhe nuk e vëren që gjithë atë bisedë po e dëgjon vetë vajza, të cilën e ka quajtur me emrin Poena.

Në çast, Poena nis të bëjë shumë pyetje. Ajo madje dyshon se është vetë fëmija Ballës dhe Osmanit por Sofia ia mohon të gjitha, e manipulon dhe e bën të pijë shurupin që i ndikon në kujtesë. Gjatë asaj kohe, Begymi nxit Ulluganin të mendojë se Sofian e ka armike të fshehur, ndaj dhe biseda Sofias me Poenën do të ndërpritet nga Ullugani që i shkon në kala për t’i kërkuar llogari, me tone aspak të qeta.
